Tuesday, December 16, 2014

Tirana e vertetë dhe emri i betonizimit të saj (unfinished article)

Qeveria, muajt e fundit, po zhvillon një aksion të gjërë, për të liruar hapësirat publike, të zëna nga bizneset e vogla të shërbimeve. Fushata ka efekte pozitive, pasi disiplinon individët, për të mos shkelur rregullat normale, mbi të cilat duhet të funksionojë një qytet.
Megjithatë, kjo fushatë nuk mund të zhbëjë kurrsesi dëmin e madh që i është bërë këtij qyteti nga pallatet e ndërtuara vend e pavend. Mjafton të ndjekësh fushatën e fundit të prishjeve të ndërtimeve të paligjshme dhe mund të shohësh se përgjatë hapësirës së liruar gjithmonë haset një pallat që ka zënë treçerekun e trotuarit.
Fushata që vijon, nuk mund të zgjidhë problemin e pallateve që pengojnë makinat e ambulancës të shkojnë në një emergjencë, që pengojnë zjarrfikësit të shuajnë një zjarr të rënë diku, që pengojnë femijët të luajnë në një shesh normal, që ngrihen në oborret e shkollave dhe universiteteve etj. Kjo fushatë nuk zgjidh problemin kryesor të Tiranës.
Dëmi i madh që ju bë qytetit të Tiranës me betonizimin, u justifikua me prishjen e kioskave. Personalisht, ky krahasim më ngjan me krahasimin që bënte regjimi komunist me periudhën e Ahmet Zogut. Tirana e vitit 1992 ishte një qytet i mbërthyer nga kriza e papunësisë. Qeveria e asaj kohe, mbylli, pa kushte dhe pa asnjë alternativë, të gjitha fabrikat dhe uzinat, që gjendeshin brenda qytetit si dhe në rrethinat e tij, duke prodhuar në këtë mënyrë një ushtri të papunësh. Gjithashtu, Tirana në vitin 1992 numëronte 250 mijë banorë, ndërsa Tirana në vitet 1996-1997 kishte 600 mijë banorë. Ky problem nuk mund të zgjidhej duke lyer ndonjë pallat me bojë dhe as duke marrë poza përballë kamerave. Njësitë e shërbimit ose kioskat, sic quhen rëndom, ofruan një mundësi për njerëzit e papunë dhe të uritur, duke ndaluar në këtë mënyrë eksodin masiv të shqiptarëve. Në vitet e para të tranzicionit (tranzicion që vazhdon ende sot) ato krijuan një alternativë të përkohshme për njerëzit e thjeshtë dhe në fund, u hoqën lehtësisht dhe pa bërë asnjë dëm në panoramën e qytetit.
Për hir të së vërtetës, dy hotelet që kanë famë ndërkombëtare dhe janë të vetmit te ketij lloji në Shqipëri, edhe sot pas 2 dekadash, janë Rogner dhe Sheraton. Të dy keto hotele janë ndertuar në gjysmën e parë të viteve ‘90, madje pa prishur pamjen e bulevardit. Tirana, sot, në sytë e të huajve, ka një pamje tjetër, sepse ka nje Sheraton dhe një Rogner. Ndërkohë që nuk mund të themi të njëjtën gjë për marrëzinë e pallateve klienteliste, që mbinë kudo në Tiranë.
Sot, jo vetëm Tirana, por e gjithë Shqipëria, po vuan nga mungesa e një modeli të qartë zhvillimi dhe kjo është arsyeja kryesore e krizës ekonomike në vendin tonë. Zhvillimi i një vendi vjen si pasojë e reformave dhe ndryshimeve të mëdha, që lënë gjurmë dhe kanë efekt pozitiv mbi ekonominë e një vendi. Rast i tillë është ndërtimi i gjithë rrjetit elektrik ne Tiranën e viteve ’90, duke filluar nga nënstacionet, e deri tek kabinat elektrike në çdo lagje. Ky rrjet vazhdon të përdoret edhe sot dhe mban akoma gjallë ekonominë e Tiranës. Një rast tjetër është rinovimi tërësor në Tiranën post-komuniste, të gjithë rrjetit të shpërndarjes së ujit. Ky rrjet vazhdon të përdoret edhe sot, pa asnjë ndryshim. Gjithashtu, edhe ndërtimi i arterieve kryesore të Tiranës në vitet 2000, kanë efekt të rëndësishëm në ekonominë e qytetit. Rast i tillë është edhe ndërtimi i unazës, projektimi i së cilës ka nisur në vitet ’90, ndërtimi ka filluar në vitet 2000 dhe po vazhdon edhe sot.
Tirana, sot, nuk ka nevojë për leksione kundër betonit që vijnë nga kamikazët e betonizuesve kryesorë të saj. Tirana, sot, ka nevojë për alternativa dhe kjo gjë po i mohohet.

Monday, November 24, 2014

Kërkohet ndryshim!

Sa protesta duhet të bëhen, që kjo qeveri të heqë dorë nga rruga e gabuar e të ashtuquajturave reforma?
Gjatë muajit nëntor janë zhvilluar shumë protesta, megjithëse nuk kanë pasur vëmendjen, që duhet të kishin, nga media. Studentët kanë qënë të parët, që kanë kundërshtuar me forcë vendimet abuzive të marra nga klasa në pushtet, ndaj universiteteve publike. Tjetërsimi i godinave universitare, rritja e tarifave studentore, një ligj për arsimin e lartë klientelist, një fond i mjerueshëm, që parashikohet për arsimin, janë disa nga goditjet, që kjo klasë në fuqi, po i jep universiteteve publike.

Wednesday, August 20, 2014

Minierat e vdekjes dhe ekonomia shqiptare

Minierat në Shqipëri vazhdojnë të prodhojnë viktima, ndërkohë që shteti vazhdon në indiferencën e tij, duke u mjaftuar me disa mesazhe ngushëllimi, por asgjë më tepër. Të ardhurat që sigurohen nga ky lloj biznesi janë shumë të mëdha, por kushtet e punës në minierat shqiptare janë skandaloze.

Tuesday, August 12, 2014

Nuk mjaftojnë vetëm vera, deti dhe lokalet

Dikush mund të thotë se shqiptarët janë popull dembel. Kjo nuk është aspak e vertetë. Jemi ndoshta i vetmi popull mesdhetar, i cili bën punë të rënda në të ashtuquajturat "sweatshop", po njësoj si në lindjen e largët.

Thursday, July 24, 2014

PD t’i hapë rrugë rrëzimit të qeverisë!

Le t’i themi gjërat troç: Kjo qeveri nuk do të na sjellë ‘Rilindjen’ e premtuar! Kjo qeveri prodhon vetëm publicitet, por aspak zhvillim! Kjo qeveri është votuar në parlament nga deputetë të inkriminuar! Kjo qeveri nuk ka në plan zhvillimin ekonomik, por orientimin drejt një ekonomie skllavëruese. Kjo qeveri nuk ofron rend për qytetarët, por siguri për kriminelët! 

Thursday, July 10, 2014

Software si një mundësi për zhvillimin e Shqipërisë?

Një nga arsyet e ngërçit ekonomik që po përjeton vendi ynë është mungesa e një modeli të qartë të zhvillimit ekonomik. Ekonomia shqiptare, gjatë periudhës së tranzicionit, ka qënë thellësisht një ekonomi konsumi, që furnizohej nga remitancat e emigrantëve si dhe nga rritja me bazë kreditimin. Sot, ky model nuk gjeneron më zhvillim. Qeveritë që kanë ndjekur njëra-tjetrën gjatë këtyre 23 viteve, e kanë parë këtë model si një mundësi për të përfituar prej tij dhe nuk kanë bërë asgjë për të ndërtuar një model, që do të na siguronte një rritje afatgjatë.

Monday, June 30, 2014

Luftimi i së keqes

Shqipëria po përjeton një krizë të thellë, një krizë të thellë në ekonomi, një krizë të thellë besimi, një krizë të thellë të themeleve mbi të cilat ngrihen institucionet shtetërore. Gjëja më e rëndë, sipas meje, është fuqia që po merr krimi i organizuar.
Shqipëria ka qënë dhe është një vend i pazhvilluar. Krimi i organizuar ushqehet nga mungesa e zhvillimit të një vendi dhe ndërkohë është një nga arsyet kryesore të frenimit të zhvillimit të tij. Krimi i organizuar përdor korrupsionin. Korrupsioni prodhon varfëri. Individët detyrohen të paguajnë një kosto më të lartë për shërbimet publike, të cilat, në të shumtën e rasteve janë inekzistente.

Monday, May 26, 2014

Prova e fundit e politikanëve për marrjen e statusit

Në qershor merret vendimi nëse do të jemi ose jo vend kandidat për në Bashkimin Europian. Shumica e shqiptarëve kërkojnë të jenë pjesë e Europës. Marrja e këtij statusi përbën një hap të madh drejt endrrës europiane. Gjithashtu, marrja e këtij statusi do të çojë në forcimin e institucioneve shqiptare për të përmbushur standardet e Bashkimit Europian. Shqiptarët me të drejtë kërkojnë të jenë pjesë e familjes europiane. Nëse do të ishim pjesë e Bashkimit Europian, gjithsecili prej nesh do të kishte lirinë e levizjes dhe lirinë e punësimit në çdo vend të BE-së. Kjo liri, rrjedhimisht, na jep mundësinë e shkëputjes njëherë e mirë nga varësia e politikës, e cila prodhon vota duke përdorur shantazhin e punësimit. Gjithashtu, Bashkimi Europian do të vendosë një kontroll më të rreptë ndaj klasës politike për të luftuar korrupsionin si dhe për të respektuar ligjet.

Tuesday, May 20, 2014

Shteti OBEZ Shqiptar

Ne fillim te viteve 90-te shqiptaret u dergjen rrugeve per te rrezuar me force nje shtet te ndertuar prej tyre; nje shtet qe i perdorte, nje shtet qe abuzonte me ta, nje shtet dembel qe nuk kishte qene ne gjendje te siguronte mireqenie e prosperitet. Te zhgenjyer nga ky shtet, shqiptaret vendosen te ndertonin shtetin e se drejtes, mbeshtetur mbi nje ekonomi te bazuar ne rradhe te pare tek puna. Shqiptareve i kishte ardhur ne maje te hundes me "free-riders", parazitet e te paaftet.  24 vite me vone nje e katerta e forces punetore eshte e punesuar ne shtet, mbahet me taksat e veta dhe vazhdon vegjeton, paraziton, sjell pengesa dhe fryhet fryhet fryhet.

Thursday, May 8, 2014

Perspektiva e ekonomisë së ‘Rilindjes’

Tashmë, të gjithë e dimë se ekonomia e Shqipërisë po përjeton një gjëndje të përgjithshme amullie, prej të paktën dy vitesh. Shifrat që publikohen çdo ditë nga qeveria, mund të përgënjeshtrohen lehtësisht, jo vetëm nga ata që kanë njohuri në fushën e ekonomisë, por edhe nga qytetarët e thjeshtë, të cilët e prekin këtë realitet të zymtë çdo ditë.
Qeveria nuk ka në plan të marrë masa kundër krizës, që duhet të përfshijnë rritjen e shpenzimeve publike për t’i dhënë një shtytje ekonomisë. Ndërkohë po realizohet rritja e taksave, gjë që ndikon negativisht në këtë periudhë krize. Madje, po hiqen, me pretekste të kota, edhe ndihmat ekonomike për shumë të varfër të këtij vendi.

Cila do të jetë panorama e ekonomisë shqiptare, rrjedhojë e politikave që po ndiqen nga kjo qeveri?

Wednesday, April 30, 2014

Saturday, April 26, 2014

Kozmetika që i bëhet kalbjes së policisë së shtetit

Gjatë 7 muajve të qeverisjes aktuale kemi vënë re shtimin e policëve të rinj nëpër rrugët e Shqipërisë. Përgjithësisht, vendosja e të rinjve në këto lloj punësh, ka një ndikim pozitiv tek perceptimi i qytetarëve për rendin. Gjithsesi, situata e rendit dhe e kriminalitetit na ofron një realitet krejt të zymtë. Shtimi i atentateve tregon se vetëgjyqësia në shoqërinë shqiptare po merr përmasa të frikshme. Policia e shtetit, në rastin më të mirë, është e paaftë të mbrojë qytetarët.

Sunday, April 20, 2014

Kujt i shërben huaja nga FMN?

Qeveria aktuale e shiti si një sukses të madh marrjen e borxhit nga FMN, nëpërmjet një marrëveshje me të. Sipas kësaj qeverie, ky borxh do të mundësonte rritje ekonomike për Shqipërinë si dhe daljen nga kriza. Por historia e vëndeve në zhvillim, në të cilat ka vënë dorë FMN dhe Banka Botërore, tregon një rezultat krejt tjetër. Mund të merren si shëmbuj shumë vende, që nga Afrika e deri tek Amerika Latine, që nga ish-Republikat e Bashkimit Sovjetik e deri tek vendet e lindjes së largët. Në këto vënde, FMN dhe Banka Botërore, përveçse nuk ndikuan në zhvillimin ekonomik, prodhuan kriza ekonomike dhe sociale.

Friday, April 11, 2014

Muzika Blues, fillimi i muzikës së vërtetë


Lindja e muzikës Blues përbën fazën më të rëndësishme të zhvillimit të muzikës moderne në botë. Askujt nuk do t'i kishte shkuar mëndja, që në shtetin e varfër të Mississippi, të mbushur me plantacione pambuku, do të kuiltivohej një muzikë e tillë. Periudha e saktë e fillimit të kësaj forme muzikore nuk është shumë e qartë. Zanafilla i ka rrënjët tek këngët që këndonin skllevërit zezakë në lidhje me punën e tyre.

Mungesa e besimit brënda shoqërisë shqiptare si një arsye e ngërçit

Mungesa e besimit të shqiptarëve tek politika, institucionet dhe tek shteti në përgjithësi, ka krijuar një gjendje të përgjithshme mosbesimi në shoqërinë shqiptare. Sipas perceptimit tim, ky mosbesim po forcohet gjithmonë e më shumë midis individëve, brënda sektorit privat, si dhe midis sektorit privat dhe atij publik.

Kjo gjëndje e përgjithshme mosbesimi, ka ndikim të drejtpërdrejt në ekonomi. Transaksionet financiare bazohen tek kontratat, të cilat kanë vlerë ligjore. Por mungesa e besimit tek shteti, i cili shërben si rregullator në këto raste, do të ndikojë edhe tek vijimësia normale e ekonomisë. Kjo ka prodhuar edhe mungesë besimi midis entiteteve private apo midis individëve. 

Thursday, April 10, 2014

Domethënia e Revolucionit të biçikletave

Është kthyer tashmë në traditë mbledhja mujore e të rinjve, të cilët të hipur mbi biçikleta, kërkojnë zbatimin e standardeve perendimore të lirisë dhe të sigurisë në përdorimin e biçikletës si mjet transporti. Ata protestojnë kundër arrogancës së një pjese të drejtuesve të automjeteve, kundër injorancës së policisë ndaj këtij mjeti transporti, kundër ndotjes së ambientit, kundër indiferencës së institucioneve, të cilat përveçse nuk i ofrojnë asnjë shërbim publik të saktë qytetarëve, i pengojnë ata edhe në përdorimin e zgjidhjeve të shpejta dhe me kosto të ulët në lidhje me transportin. Pra pushteti, me dashje apo pa dashje, detyron përdorimin e zgjidhjeve të shtrenjta, të cilat me sa duket, janë pjesë e interesave ekonomikë, të lidhura me të.

23 vite larg Europës. A mundemi më?

Në vitin 1990 bëmë një hap të madh përpara. Më 2 korrik 1990 rrëzuam barrierat qe na mbanin larg perëndimit nëpërmjet hyrjes masive në ambasada. Në dhjetor 1990 krijuam pluralizmin politik. Dëshira e këtij populli për ndryshim lidhej me ëndrrën e çdo shqiptari për të qënë pjesë e Europës. Pavarësisht 45 viteve diktature të egër, indoktrinimi, varfërie, në thellësi të shpirtit tonë qëndronte dëshira për të qënë pjesë e vertetë e ketij kontinenti dhe aspirimi në vlerat që mbart.

Sot, pas 23 vitesh, pas krizash të njëpasnjëshme ekonomike dhe politike, jemi ende shumë larg. Disa thonë se faji është i popullit sepse ky popull këtë qeveri meriton, disa të tjerë, së fundmi, thonë se faji është i Europës. Unë mendoj se fajtori është vetëm një: klasa politike shqiptare.