Sunday, April 20, 2014

Kujt i shërben huaja nga FMN?

Qeveria aktuale e shiti si një sukses të madh marrjen e borxhit nga FMN, nëpërmjet një marrëveshje me të. Sipas kësaj qeverie, ky borxh do të mundësonte rritje ekonomike për Shqipërinë si dhe daljen nga kriza. Por historia e vëndeve në zhvillim, në të cilat ka vënë dorë FMN dhe Banka Botërore, tregon një rezultat krejt tjetër. Mund të merren si shëmbuj shumë vende, që nga Afrika e deri tek Amerika Latine, që nga ish-Republikat e Bashkimit Sovjetik e deri tek vendet e lindjes së largët. Në këto vënde, FMN dhe Banka Botërore, përveçse nuk ndikuan në zhvillimin ekonomik, prodhuan kriza ekonomike dhe sociale.

Në lidhje me efektin negativ të politikave kushtëzuese të FMN dhe Bankës Botërore, është shprehur nobelisti i ekonomisë Joseph Stiglitz. Shkrimet e tij përbëjnë një analizë të saktë të efekteve shkatërruese të politikave ekonomike të këtyre institucioneve, të cilat normalisht duhet të ndihmonin vëndet në zhvillim, por që faktet treguan krejt tjetër.

Efektet e polikës kushtëzuese të FMN filluan të ndiheshin gjatë hartimit të buxhetit të vitit 2014. Pavarësisht propagandës së qeverisë, rritja e taksave dhe ulja e shpenzimeve publike ishin evidente. Stabilizimi i buxhetit, për të siguruar pagesën e borxhit së bashku me interesat, është baza e kushtëzimeve të FMN.

Çfarë do të thotë më shumë taksa dhe më pak shpenzime publike në një periudhë krize si kjo në të cilën ndodhemi? Do të thotë rritje më të ulët ekonomike, më pak shkolla të reja, më pak spitale, më pak ndihma ekonomike për të varfrit. Do të thotë frenimin e iniciativës që mund të prodhonte zhvillim. Rritja e taksave dhe ulja e nivelit të shpenzimeve publike në një situatë krize, thjesht e përkeqëson më shumë situatën.

Kujt do t'i bjerë barra e borxhit dhe kush do të përfitojë prej tij?

Sipas qeverisë, ky borxh merret për të shlyer detyrimet e prapambetura ndaj kompanive, që kanë fituar tendera të ndryshëm publikë. Këto kompani, në shumicën e rasteve, janë pjesë e interesave ekonomike të të dy palëve të politikës. Gjithashtu ky borxh shërben edhe për të siguruar kreditorët e qeverisë, se qeveria ka likuiditet e nevojshme për kthimin e borxhit, që ato i kanë dhënë. Ky borxh nuk merret për të krijuar vende të reja pune, nuk merret për të ndihmuar njerëzit në nevojë. Ky borxh merret për të ndihmuar kompanitë dhe për të siguruar kreditorët e qeverisë. Ky borxh kurrsesi nuk do të prodhojë vende të reja pune, por do të pengojë krijimin e tyre.

Barra e borxhit do të bjerë mbi të varfrit dhe mbi shtresën e mesme. Kjo gjë u vu re tek buxheti i 2014 dhe mendoj se do të theksohet gjatë muajve në vijim. Ndërkohë, taksimi i kapitalit nuk ka ndryshuar. Edhe nëse taksimi i kapitalit do të rritej, ky kapital fare mirë mund të mbushte llogaritë jashtë vëndit, në bankat e parajsave fiskale. Në fakt, levizja e kapitalit jashtë vëndit është një histori e njohur në Shqipëri.

Ekonomia shqiptare duket se nuk po ecën me ritme të kënaqshme. Nëse do të vijojë kështu, duhet të presim një rritje të mëtejshme të nivelit të taksave, për të siguruar pagesën e këstit të borxhit të FMN-së.

Marrja e borxhit nga FMN, i shërben vetëm interesave të qeverisë dhe bizneseve pranë saj. Barra e taksave do të bjerë mbi ato që kanë paguar gjithmonë, të varfërit dhe shtresa e mesme. Mungesa e shpenzimeve publike do të prekë së pari të varfërit dhe shtresën e mesme. Në fakt, pjesa kryesore që do të goditet do të jetë pjesa më vitale e ekonomisë.

E ardhmja është e qartë: Mungesë e zhvillimit ekonomik, rritje e barrës së taksave mbi shtresën e mesme dhe të varfërit. Në fakt, marrëveshja me FMN do të përkeqësojë akoma më shumë situatën në të cilën ndodhemi. I ashtuquajtur stabilitet që kërkon FMN, do të përkthehet në shtrydhje në maksimum të qytetarëve shqiptarë, për të bërë të mundur kthimin e këtij borxhi. Mendoj se ky fakt është i mjaftueshëm që njerëzit të mbushin sheshet.

6 comments:

  1. Te ishte qe marrja e borxhit nga FMN i shërben vetëm interesave të qeverisë dhe bizneseve pranë saj, te jesh i sigurte qe qeveria do ta kishte marre borxhin ne tregun privat, ku detyrimet per qeverine nuk ekzistojne.

    ReplyDelete
    Replies
    1. Nese do ta kishte marre ne tregun privat duhet ti justifikonte investimet ndersa tani ka ombrellen e FMN dhe nderkohe shpeton bizneset e veta nga falimentimi. Peace

      Delete
  2. Qeveria shqiptare, pa fmn, do ti bente me pak te keqija ketij vendi.

    ReplyDelete
  3. Pse duhet qe FMN ti jape borxh gjithe ato para qeverise nese e paska kaq te qarte qe ajo do ti shperdoroje?

    ReplyDelete
    Replies
    1. Mbase sepse Fmn ka interesat e veta? Mbase sepse fmn pervec kthimit te borxhi bashke me fitimet dhe interesat globaliste qe ka nuk e rruan per gje tjeter?

      Delete
    2. Shume mbase , shume dobet arsyetimi Rameta

      Delete