Thursday, April 10, 2014

23 vite larg Europës. A mundemi më?

Në vitin 1990 bëmë një hap të madh përpara. Më 2 korrik 1990 rrëzuam barrierat qe na mbanin larg perëndimit nëpërmjet hyrjes masive në ambasada. Në dhjetor 1990 krijuam pluralizmin politik. Dëshira e këtij populli për ndryshim lidhej me ëndrrën e çdo shqiptari për të qënë pjesë e Europës. Pavarësisht 45 viteve diktature të egër, indoktrinimi, varfërie, në thellësi të shpirtit tonë qëndronte dëshira për të qënë pjesë e vertetë e ketij kontinenti dhe aspirimi në vlerat që mbart.

Sot, pas 23 vitesh, pas krizash të njëpasnjëshme ekonomike dhe politike, jemi ende shumë larg. Disa thonë se faji është i popullit sepse ky popull këtë qeveri meriton, disa të tjerë, së fundmi, thonë se faji është i Europës. Unë mendoj se fajtori është vetëm një: klasa politike shqiptare.


Kjo klasë politike arriti të krijojë një demokraci te dhunuar nga kode zgjedhore aspak demokratike dhe që nuk lënë asnjë njeri të ngrejë kokën, arriti të krijojë një demokraci të dhunuar prej mediave pranë politikës, të cilat sulmojnë ose eklipsojnë çdo ide për ndryshim. Dhe pasojat janë katastrofike. Kemi patur rritje ekonomike keto 23 vite, por kalbja ka prekur të gjithë sistemet e shoqërisë. Universitetet janë kthyer në biznese kartonash dhe drejtuesit e universiteteve publike kanë të njëjtën pamje me drejtuesit e universiteteve private: atë të një biznesmeni të rëndomtë, i cili i ndërron makinat luksoze çdo vit. Institucionet shtetërore janë thjeshtë disa vende ku mund të vidhet. Sistemi i drejtësisë prodhon vetëm lajme dhe debate, por aspak drejtësi. Sistemi shëndetësor kontrollohet nga padrinot e pavioneve si dhe mafia e barnave. Studentët, të cilët nisin universitetin me ideale dhe endrra, shpejt përballen me abuzivizmin dhe mungesën e mundësive për punësim. Mundësia e vetme që të ofrohet për të nisur jetën është thjeshtë një punë në ‘call center’, një punë në fabrikat të ngjashme me fabrikat në Kinë apo Bangladesh, ose kamarier. Aktualisht në Shqipëri administrata nuk është e mbushur me militantë tradicionalë, por me persona pa parti, të lidhur me të dy krahët e politikës dhe që përfaqësojnë interesa ekonomike mafioze. Drejtuesit e djeshëm, të sotëm, apo ata që do vijnë, pronarët e mediave, analistët apo opinionistët, biznesmenët e mëdhenj të lidhur me pushtetin, trafikantët e mëdhenj të lidhur me pushtetin etj., duket që janë vite dritë larg realitetit shqiptar. Rinia shqiptare ka humbur tërësisht optimizmin dhe atë nuk mund t'ia rikthesh duke i punësuar në ‘call center’.

Modeli ekonomik shqiptar është një model i bazuar tek konsumi. Ky model u krijua rreth viteve 1991-1993, pas mbylljes masive të fabrikave që i përkisnin epokës komuniste. Qeveritë që ndoqën njëra-tjetrën nuk bënë asgjë për ta reformuar këtë model, përkundrazi, e pane atë si një mundësi për të siguruar sa më shumë fitime, duke ulur në këtë mënyrë potencialin e rritjes ekonomike për vite me rradhë. Burimi kryesor i financimit të ekonomisë tone ishin remitancat dhe ekonomia e zezë. Aktualisht po përjetojmë grahmat e fundit të këtij modeli. Shkaku: mungesa e dëshirës për reforma dhe mungesa e vizionit të qeverive tona. Tashmë, ky model është i paaftë të gjenerojë vende të reja pune dhe rritje të qëndrueshme ekonomike.

A mundet qeveria e re të bëjë diçka pozitive?
 
Ne jemi në një pikë, e cila në teorinë e kaosit quhet pikë bigëzimi. Në këtë pikë nuk mund të vazhdohet të ruhet ekuilibri i vjetër duke përdorur metodat dhe rregullat ekzistuese. Kemi dy mundësi: ose vetshkatërrimin, ose përdorimin e metodave dhe rregullave të reja për të kaluar në një gjendje më të mirë, shumë larg ekuilibrit aktual. Në harkun kohor të 4 muajve qeveria aktuale ka vijuar me politikën e propagandës, menjanimin e intelektualëve, mungesën e ideve, paaftësinë e drejtimit. Nëse vazhdon në këtë mënyrë rezultati dihet: vetëshkatërrim.

Politika na do larg Europës, politika na do të varfër, shpirtërisht dhe ekonomikisht. Në këtë mënyrë na kontrollon më thjeshtë. A duhet të vazhdojmë ta lëmë çdo gjë në dorë të politikës? Normalisht jo. Sado pak mund të bëjmë, duhet të fillojmë ta bëjmë sa më shpejt! Siç thotë i madhi Alber Kamy: “Aty ku nuk ka shpresë, është në detyrimin tonë ta shpikim atë.”

2 comments:

  1. Situate shume e zymte, ndoshta e vertete. Por nuk shikoj ndonje propozim konkret per zgjidhje nga autori

    ReplyDelete
  2. Ceshtjet jane ngritur por zgjidhjet nevojiten te behen nga masa pasi propozime mund te kete por duhet te jene utilitare

    ReplyDelete