Tuesday, December 16, 2014

Tirana e vertetë dhe emri i betonizimit të saj (unfinished article)

Qeveria, muajt e fundit, po zhvillon një aksion të gjërë, për të liruar hapësirat publike, të zëna nga bizneset e vogla të shërbimeve. Fushata ka efekte pozitive, pasi disiplinon individët, për të mos shkelur rregullat normale, mbi të cilat duhet të funksionojë një qytet.
Megjithatë, kjo fushatë nuk mund të zhbëjë kurrsesi dëmin e madh që i është bërë këtij qyteti nga pallatet e ndërtuara vend e pavend. Mjafton të ndjekësh fushatën e fundit të prishjeve të ndërtimeve të paligjshme dhe mund të shohësh se përgjatë hapësirës së liruar gjithmonë haset një pallat që ka zënë treçerekun e trotuarit.
Fushata që vijon, nuk mund të zgjidhë problemin e pallateve që pengojnë makinat e ambulancës të shkojnë në një emergjencë, që pengojnë zjarrfikësit të shuajnë një zjarr të rënë diku, që pengojnë femijët të luajnë në një shesh normal, që ngrihen në oborret e shkollave dhe universiteteve etj. Kjo fushatë nuk zgjidh problemin kryesor të Tiranës.
Dëmi i madh që ju bë qytetit të Tiranës me betonizimin, u justifikua me prishjen e kioskave. Personalisht, ky krahasim më ngjan me krahasimin që bënte regjimi komunist me periudhën e Ahmet Zogut. Tirana e vitit 1992 ishte një qytet i mbërthyer nga kriza e papunësisë. Qeveria e asaj kohe, mbylli, pa kushte dhe pa asnjë alternativë, të gjitha fabrikat dhe uzinat, që gjendeshin brenda qytetit si dhe në rrethinat e tij, duke prodhuar në këtë mënyrë një ushtri të papunësh. Gjithashtu, Tirana në vitin 1992 numëronte 250 mijë banorë, ndërsa Tirana në vitet 1996-1997 kishte 600 mijë banorë. Ky problem nuk mund të zgjidhej duke lyer ndonjë pallat me bojë dhe as duke marrë poza përballë kamerave. Njësitë e shërbimit ose kioskat, sic quhen rëndom, ofruan një mundësi për njerëzit e papunë dhe të uritur, duke ndaluar në këtë mënyrë eksodin masiv të shqiptarëve. Në vitet e para të tranzicionit (tranzicion që vazhdon ende sot) ato krijuan një alternativë të përkohshme për njerëzit e thjeshtë dhe në fund, u hoqën lehtësisht dhe pa bërë asnjë dëm në panoramën e qytetit.
Për hir të së vërtetës, dy hotelet që kanë famë ndërkombëtare dhe janë të vetmit te ketij lloji në Shqipëri, edhe sot pas 2 dekadash, janë Rogner dhe Sheraton. Të dy keto hotele janë ndertuar në gjysmën e parë të viteve ‘90, madje pa prishur pamjen e bulevardit. Tirana, sot, në sytë e të huajve, ka një pamje tjetër, sepse ka nje Sheraton dhe një Rogner. Ndërkohë që nuk mund të themi të njëjtën gjë për marrëzinë e pallateve klienteliste, që mbinë kudo në Tiranë.
Sot, jo vetëm Tirana, por e gjithë Shqipëria, po vuan nga mungesa e një modeli të qartë zhvillimi dhe kjo është arsyeja kryesore e krizës ekonomike në vendin tonë. Zhvillimi i një vendi vjen si pasojë e reformave dhe ndryshimeve të mëdha, që lënë gjurmë dhe kanë efekt pozitiv mbi ekonominë e një vendi. Rast i tillë është ndërtimi i gjithë rrjetit elektrik ne Tiranën e viteve ’90, duke filluar nga nënstacionet, e deri tek kabinat elektrike në çdo lagje. Ky rrjet vazhdon të përdoret edhe sot dhe mban akoma gjallë ekonominë e Tiranës. Një rast tjetër është rinovimi tërësor në Tiranën post-komuniste, të gjithë rrjetit të shpërndarjes së ujit. Ky rrjet vazhdon të përdoret edhe sot, pa asnjë ndryshim. Gjithashtu, edhe ndërtimi i arterieve kryesore të Tiranës në vitet 2000, kanë efekt të rëndësishëm në ekonominë e qytetit. Rast i tillë është edhe ndërtimi i unazës, projektimi i së cilës ka nisur në vitet ’90, ndërtimi ka filluar në vitet 2000 dhe po vazhdon edhe sot.
Tirana, sot, nuk ka nevojë për leksione kundër betonit që vijnë nga kamikazët e betonizuesve kryesorë të saj. Tirana, sot, ka nevojë për alternativa dhe kjo gjë po i mohohet.