Friday, April 11, 2014

Mungesa e besimit brënda shoqërisë shqiptare si një arsye e ngërçit

Mungesa e besimit të shqiptarëve tek politika, institucionet dhe tek shteti në përgjithësi, ka krijuar një gjendje të përgjithshme mosbesimi në shoqërinë shqiptare. Sipas perceptimit tim, ky mosbesim po forcohet gjithmonë e më shumë midis individëve, brënda sektorit privat, si dhe midis sektorit privat dhe atij publik.

Kjo gjëndje e përgjithshme mosbesimi, ka ndikim të drejtpërdrejt në ekonomi. Transaksionet financiare bazohen tek kontratat, të cilat kanë vlerë ligjore. Por mungesa e besimit tek shteti, i cili shërben si rregullator në këto raste, do të ndikojë edhe tek vijimësia normale e ekonomisë. Kjo ka prodhuar edhe mungesë besimi midis entiteteve private apo midis individëve. 
Mosbesimi po ndikon edhe tek paaftësia e shqiptarëve për të ndryshuar klasën politike. Sot, shumica e shqiptarëve shprehen skeptikë ndaj çdo individi apo force të re që mund të përfshihet në politikë. Alibia që përdoret rëndom është se të gjithë janë njësoj. Kjo alibi është një nga ushqimet kryesore të klasës aktuale politike, që e përdor atë për të ndejtur gjallë. Kjo alibi është një nga arsyet kryesore të këtij ngërçi ,në të cilin ndodhet shoqëria shqiptare.

Në ditët e sotme janë të shumtë shqiptarët, të cilët ndihen të revoltuar ndaj klasës politike dhe ndaj veprimeve të saja të përditshme. Arsyeja se pse vazhdojnë të jenë kaq apatikë është mosbesimi tek njëri-tjetri si dhe mosbesimi tek diçka e re.

Si mund të rikthehet besimi tek shqiptarët? Në kushte normale, rikthimi i besimit në një shoqëri, është detyrë e shtetit. Por ne jemi në situatën, ku shteti është shkaku kryesor i kësaj gjendje, madje, siç e shprehëm edhe më sipër, përfiton nga ajo. Mendoj se hapi më i rëndësishëm që duhet të bëjë gjithësecili prej nesh është zhveshja nga përkatësia politike, pasi në Shqipëri partitë nuk përfaqësojnë shoqërinë. Ata individë që pretendojnë se x apo y parti është më e mirë se tjetra, të mos perpiqen t'i gjejnë justifikim vetvetes për këto parti, është ajo që duan politikanët këtu në Shqipëri! Të gjitha njesoj janë! Është e kotë të haxhohen energji për njërën parti apo tjetrën. Mendoj se në Shqipëri partitë janë thjeshtë disa organizata kriminale, të cilat ndajnë pushtetitin politiko-ekonomik midis tyre, në kurriz të qytetarëve.

Mungesa e besimit që kemi krijuar midis nesh do të ishte mirë të orientohej vetëm ndaj politikës dhe parlamentit, që ka brënda përfaqësuesit më të lartë të saj. Në fund të fundit ata janë shkaktarët kryesorë të ngërçit në të cilin ndodhemi si shoqëri si dhe të mungesës së pespektivave dhe mungesës së besimit. Forcimi i këtij mosbesimi ndaj parlamentit, i cili normalisht duhet të përfaqësojë popullin, do të përkthehet në ndryshime pozitive. Si shembull i qartë është lëvizja kundër armëve kimike. Lëvizja ishte thellësisht kundër politikës, kundër partive politike shqiptare.

Forcimi i besimit tek njëri-tjetri si dhe refuzimi i klasës politike do të çojë në mënyrë të pashmangshme në krijimin e një lëvizje gjithëpërfshirëse, që do të rivendoste demokracinë dhe ekonominë e lirë në vend.

1 comment:

  1. Citoj:
    "Si shembull i qartë është lëvizja kundër armëve kimike. Lëvizja ishte thellësisht kundër politikës, kundër partive politike shqiptare."

    Une mendoj se ajo ishte nje levizje pa lidhje fare me politiken, jo kunder saj. Ishte nje levizje qytetare kundra armeve kimike, cilido te ishte nje pushtet ne ate moment, mendoj se prape njerezit do kishin dale ne rruge kundra atyre armeve.

    ReplyDelete