Monday, May 26, 2014

Prova e fundit e politikanëve për marrjen e statusit

Në qershor merret vendimi nëse do të jemi ose jo vend kandidat për në Bashkimin Europian. Shumica e shqiptarëve kërkojnë të jenë pjesë e Europës. Marrja e këtij statusi përbën një hap të madh drejt endrrës europiane. Gjithashtu, marrja e këtij statusi do të çojë në forcimin e institucioneve shqiptare për të përmbushur standardet e Bashkimit Europian. Shqiptarët me të drejtë kërkojnë të jenë pjesë e familjes europiane. Nëse do të ishim pjesë e Bashkimit Europian, gjithsecili prej nesh do të kishte lirinë e levizjes dhe lirinë e punësimit në çdo vend të BE-së. Kjo liri, rrjedhimisht, na jep mundësinë e shkëputjes njëherë e mirë nga varësia e politikës, e cila prodhon vota duke përdorur shantazhin e punësimit. Gjithashtu, Bashkimi Europian do të vendosë një kontroll më të rreptë ndaj klasës politike për të luftuar korrupsionin si dhe për të respektuar ligjet.
Politikanët shqiptarë, deri më tash, e kanë shfrytëzuar deshirën e madhe të shqiptarëve për të qënë pjesë e këtij bashkimi, duke prodhuar iluzionin se synimi i tyre kryesor është integrimi në BE. Por, faktet tregojnë se synimi i tyre jo vetëm nuk ka qënë integrimi ne BE, por politikat dhe sjelljet e tyre po na largojnë gjithmonë e më shumë nga Europa. Në fakt, pranimi i vëndit tonë në BE, përbën një kërcënim, për pushtetin politiko-ekonomik të klasës politike shqiptare. Ata do të dëmtoheshin ekonomikisht, duke humbur kontrollin mbi monopolet, që i sigurojnë fitime marramëndëse, në kurriz të qytetarëve. Ata do të dëmtoheshin politikisht, duke humbur mbështetjen popullore, si rezultat i ndryshimeve që do të kërkojë Bashkimi Europian si dhe lirisë që do të fitonin qytetarët.
Gjatë gjithë këtyre viteve, mosmarrja e statusit kandidat për Shqipërinë, mund të quhet një shans i humbur për të gjithë qytetarët shqiptarë. Mosmarrja e këtij statusi mund të quhet edhe një zgjatje e mëtejshme e jetës së kësaj klase oligarkike, e cila ende vendos për fatin e shqiptarëve. Ajo që më habit është se klasa politike shqiptare, mosmarrjen e statusit, ka filluar ta heqë si përgjegjësi nga vetja dhe t’ia kalojë fajin popullit shqiptar si dhe ekstremizmit europian.
Të gjithë e presim me padurim marrjen e statusit në qershor. Do të na rikthente optimizmin, në këtë zymtësi të realitetit shqiptar. Do të na bënte të ndiheshim më të respektuar dhe më shumë europian.
Politikanët shqiptarë, muajt e fundit, perveçse nuk kanë bërë asgjë për marrjen e statusit, kanë vijuar me retorikën banale të politikës shqiptare, shfaqjen në mënyrë të hapur të përfshirjes në trafikun e drogës, si dhe së fundmi, përdorimin e simboleve të diktaturës komuniste gjatë ceremonive shtetërore. Kjo klasë ka një lidhje rrënjësore me mafien dhe komunizmin.
Qershori po afron. Kjo duhet të jetë prova e fundit e politikanëve tanë, për një nga detyrat kryesore, që i është caktuar nga populli shqiptar. Nëse dështojnë edhe këtë herë, atëherë është e qartë se nuk do të ketë më herë tjetër. Dhe meqë e duan kaq shumë diktaturën komuniste, duhet t’i dërgojmë këta politikanë në Korenë e Veriut dhe ne shqiptarët të futemi në Europë.
Prova e fundit për këta politikanë po afron. Nëse dështojnë, asnjë tolerancë nuk duhet të ketë. Dhe kësaj rradhe urrejtja e akumuluar nuk duhet thjesht të orientohet drejt qeverisë, por, në rradhë të parë, drejt parlamentit, si përfaqësuesi më i lartë i oligarkisë në Shqipëri. Shpërthimi i urrejtjes nuk duhet të prodhojë thjesht alternim të palëve, por goditjen dhe shëmbjen e gjithë këtij sistemi të urryer! Po Europës, Jo Oligarkisë!

2 comments:

  1. Qe politikanet ja vene fajin ekstremizmit europian kisha degjuar, por qe te t''ja vene fajin popullit eshte hera e pare qe e degjoj

    ReplyDelete
  2. Besoj se statusin nuk do e marrim dot as ne qershor dhe politikanet nuk do i dergojme dot ne Korene e Veriut. Dhe mos u habit fare :-)

    ReplyDelete