Monday, June 30, 2014

Luftimi i së keqes

Shqipëria po përjeton një krizë të thellë, një krizë të thellë në ekonomi, një krizë të thellë besimi, një krizë të thellë të themeleve mbi të cilat ngrihen institucionet shtetërore. Gjëja më e rëndë, sipas meje, është fuqia që po merr krimi i organizuar.
Shqipëria ka qënë dhe është një vend i pazhvilluar. Krimi i organizuar ushqehet nga mungesa e zhvillimit të një vendi dhe ndërkohë është një nga arsyet kryesore të frenimit të zhvillimit të tij. Krimi i organizuar përdor korrupsionin. Korrupsioni prodhon varfëri. Individët detyrohen të paguajnë një kosto më të lartë për shërbimet publike, të cilat, në të shumtën e rasteve janë inekzistente.
Krimi i organizuar në Shqipëri ka filluar të kontrollojë edhe institucionin më të lartë të vendit, Parlamentin. Tashmë, vota kontrollohet në një pjesë të konsiderueshme prej tij. Votat mund të blihen në këmbim të parave apo favoreve. Financimi i partive politike, gjatë fushatave, bëhet edhe nga individë me të shkuar të dyshimtë apo që kanë problem me drejtësinë e vendeve të tjera.
Krimi i organizuar nuk ka bindje politike. Ai mbështet ardhjen në pushtet të forcës politike që do të mbështesë më shumë veprimet e tij kriminale si dhe do t’i sigurojë tendera publikë.
Të gjithë e dimë, se në sallën e parlamentit shqiptar, ka deputetë, që vijnë nga sfera e errët e krimit. Edhe sikur të jenë vetëm një ose dy, është diçka shumë e rëndë. Nëse deri para 10 vitesh, krimi mund të përdorte korrupsionin, për të ndikuar në vendimmarrjen politike, sot, ai ka përfaqësues të drejtpërdrejtë në parlament. Dhe gjëja më e frikshmë është se shoqëria shqiptare po qëndron apatike ndaj këtij fakti. Ndërkohë drejtuesit e partive vazhdojnë të financohen dhe të sigurojnë një pjesë të madhe të pushtetit prej tyre.
Nëse deri para 10 vitesh, kriminelët përdornin thjesht korrupsionin dhe sot ata kanë përfaqësues në pushtetin legjislativ shqiptar, çfarë do të ndodhë në të ardhmen e afërt?
Me këtë ritëm, në pak vite, do të kemi një shkrirje të plotë të organizatave kriminale me institucionet legjitime të shoqërisë shqiptare dhe një perzierje të elitave kriminale me ato politike. Nëse sot, krimi kontrollon një pjesë të pushtetit legjislativ, nesër, ai mund të kontrollojë drejtpërdrejt edhe ekzekutivin.
 
Çfarë duhet bërë?
Sot, në parlament, ka shumë deputetë të papërlyer dhe intelektualë. Por, fakti që heshtin dhe pranojnë në heshtje të ndikohen nga pjesa e errët e partive, thjesht për të ruajtur vendin e deputetit, i bën ata fajtorë. Ndërkohë krerët e partive, kujdesen vetëm për të ruajtur numrat që kanë dhe aspak për të ardhmen e afërt.
Sot, deputetët e painkriminuar kanë në dorë të ndalojnë rrokulisjen e vendit drejt një pike mjaft të errët, nga e cila zorr se do dalim. Sot, deputët kanë në dorë të ndalojnë blerjen e votës, të ndalojnë penetrimin e elementëve kriminalë në strukturat më të larta të shtetit. Sot, ata kanë në dorë të denoncojnë në foltoren e parlamentit. Nëse nuk e bëjnë atëherë janë po aq fajtorë sa kriminelët. Atëhere revolucioni do të jetë zgjidhja evetme!

No comments:

Post a Comment