Thursday, May 8, 2014

Perspektiva e ekonomisë së ‘Rilindjes’

Tashmë, të gjithë e dimë se ekonomia e Shqipërisë po përjeton një gjëndje të përgjithshme amullie, prej të paktën dy vitesh. Shifrat që publikohen çdo ditë nga qeveria, mund të përgënjeshtrohen lehtësisht, jo vetëm nga ata që kanë njohuri në fushën e ekonomisë, por edhe nga qytetarët e thjeshtë, të cilët e prekin këtë realitet të zymtë çdo ditë.
Qeveria nuk ka në plan të marrë masa kundër krizës, që duhet të përfshijnë rritjen e shpenzimeve publike për t’i dhënë një shtytje ekonomisë. Ndërkohë po realizohet rritja e taksave, gjë që ndikon negativisht në këtë periudhë krize. Madje, po hiqen, me pretekste të kota, edhe ndihmat ekonomike për shumë të varfër të këtij vendi.

Cila do të jetë panorama e ekonomisë shqiptare, rrjedhojë e politikave që po ndiqen nga kjo qeveri?


Një nga masat fundit të kësaj qeverie, ishte ulja e pagës minimale nga 22 mijë lekë në rreth 19 mijë lekë. Gjithashtu, kjo qeveri, me shumë gjasa, do të ngrijë rritjen e pagës minimale për një periudhë 4 vjeçare. Këto masa, ndikojnë drejtpërdrejtë tek industria e fasonit. Ndërkohë që favorizohen investitorët në këtë lloj biznesi, të cilët përfitojnë një krah më të lirë pune, ata që dëmtohen janë të punësuarit në këtë sektor. Përveç kësaj, po vihet re edhe një prirje për të reduktuar akoma më shumë politikat rregullatore ndaj këtij lloj biznesi. Arsyetimi i qeverisë, në lidhje me marrjen e këtyre masave, është nxitja e eksporteve dhe rritja e punësimit në këtë sektor. 
Kjo qeveri ka marrë një borxh, të cilin duhet ta shlyej. Mënyra që ka zgjedhur për ta shlyer këtë borxh, është nxitja e eksporteve, që kanë të bëjnë me industrinë fasone. Nëpërmjet nxitjes së këtyre eksporteve, kjo qeveri pretendon të sigurojë sasinë e duhur të parave në ekonominë shqiptare, për të paguar këstet e borxhit. Shqipëria nuk është ende gati për të konkurruar në fusha të tjera dhe si pasojë, kjo qeveri ka zgjedhur rrugën më të shkurtër, nxitjen e eksporteve që kanë të bëjnë me krah pune të pakualifikuar. Por, në këtë lloj biznesi, veprojnë shumë vënde të tjera të pazhvilluara. Prandaj, që Shqipëria të jetë sa më konkurruese, duhet të ulë sa më shumë çmimet, gjë që do të përkthehet në një ulje të mëtejshme të pagave. Vlera e punës, në mënyrë të pashmangshme, do të ulet gjithmonë e më shumë, derisa të prekë fundin. Mbështetja e plotë e ekonomisë mbi industrinë fasone si dhe mbi eksportin e materialeve bruto (si psh. krom), gjeneron vetëm vënde pune që nuk kërkojnë kualifikim. Nëse do të nxitej prodhimi vëndas, duke ngritur njësi përpunuese dhe krijuese, atëhere do të nxitej punësimi i punonjësve të kualifikuar me paga më të larta. Nxitja e prodhimit vëndas do të kishte efekt shumëfishues mbi punësimin, pasi zinxhiri i prodhimit, nëse do të kishim njësi përpunuese, do të ishtë më i gjatë.
Bizneset në Shqipëri, në gjëndjen aktuale, nuk kanë mundësi të konkurrojnë me bizneset në botën e zhvilluar. Qeveria nuk duket se ka ndërmend t’i mbështesë ata në këtë drejtim. Vëndet e perëndimit, fillimisht, i kanë përkrahur industritë vëndase, deri në pikën ku ata mund të ishin konkurrues në tregun botëror.
Konkurrenca botërore në industrinë fasone do të çojë në uljen gjithmonë e më të madhe të kostos së punës dhe mbase edhe në përkeqësimin e kushteve të punës. Prodhimi i industrisë fasone shqiptare, importohet në vëndet perendimore. Por, këto produkte, mund të blihen sërish nga shqiptarët, por me një çmim shumë herë më të madh se kosto e prodhimit. 
Cilësia e sistemit të edukimit, ndërkohë, është në rënie të lirë. Kjo e ul gjithmonë e më shumë mundësinë për të patur punonjës të kualifikuar në të ardhmen. Heqja e barrierave për industrinë fasone, në veçanti, dhe për ekonominë shqiptare, në përgjithësi, në një periudhe afatmesme, do të çojë në falimentimin e shumë bizneseve vëndase dhe në përqëndrimin e burimeve tek industria fasone, eksporti i mineraleve bruto dhe produkteve bujqësore bruto si dhe në shërbimin e tipit ‘call center’. Pra do të shohim përhapjen gjithmonë e më të madhe të fabrikave të prodhimit të këpucëve, veshjeve apo produkteve të tjera, ‘call center’ etj. Punonjësit e kualifikuar në Shqipëri do të zhvlerësohen në mënyrë të konsiderueshme, duke nxitur emigrimin e tyre jashtë vëndit. Shqipëria, me pak fjalë, mund të kthehet në një realitet të ngjashëm me shumë vënde të botës së tretë.
Rënia e cilësisë së jetës do të çojë në trazira sociale dhe situata mund të përkeqësohet. Zhvillimi dhe Europa, me këto masa që po merren, do të jenë thjesht një ëndërr shumë e largët. Prandaj duhet të frenohet gremisja e vëndit drejt një ekonomie skllaveruese.

1 comment:

  1. Autori perpiqet te analizoje problemet e ekonomise shqiptare dhe per kete ka pergezimet e mia. Ajo cfare une nuk kuptoj eshte pse domosdoshmerisht "favorizimi" qe qeveria po ju ben industrise fasone eshte pengese per zhvillimin e njesive kerkuese dhe perpunuese, sikurse i emerton autori. Une mendoj qe keto jane 2 gjera te pavarura nga njera tjetra. Kohen qe do te na duhet te krijojme punetore te kualififkuar do e shfrytezojme duke perdorur fasonet. Sa te gjesh pulen do hash sorren thote populli yne.

    ReplyDelete