Tuesday, August 12, 2014

Nuk mjaftojnë vetëm vera, deti dhe lokalet

Dikush mund të thotë se shqiptarët janë popull dembel. Kjo nuk është aspak e vertetë. Jemi ndoshta i vetmi popull mesdhetar, i cili bën punë të rënda në të ashtuquajturat "sweatshop", po njësoj si në lindjen e largët. Në emigracion, pavarësisht se ka patur elementë kriminalë, shumica e shqiptarëve kanë punuar në lloj-lloj punësh fizike të vështira. Pra, me pak fjalë, epiteti 'dembel' për shqiptarët nuk është i saktë. Kemi shumë potencial si popull. Problemi kryesor është drejtimi. Drejtuesit tanë janë mishërimi i injorancës, jo vetëm në aspektin e drejtimit. Ata përfaqësojnë keqmenaxhimin që i është bërë këtij vendi. Për një gjë biem të gjithë dakord: stina e verës në Shqipëri është shumë e bukur. Është ndoshta i vetmi moment, gjatë të cilit emigrantët shqiptarë tundohen për t'u rikthyer në vendlindje. Kemi një det të mrekullueshëm, çmime shumë të ulta nëse i krahason me fqinjët tanë si dhe lokale dhe restorante shumë të këndshme. Nëse futesh në det dhe shikimin e ke drejt horizontit, për pak çaste mendon se je në një vend krejt tjetër. Ky iluzion, gjithsesi, shuhet sapo kthen kokën prapa.
Stina e verës dhe deti i bukur nuk mjaftojnë. Kemi një ekonomi të dobët dhe pa një sens të qartë orientimi, një sistem transporti publik thuajse inekzistent, një sistem arsimor, që po humbet çdo ditë e më shumë cilësinë dhe lidhjet me zhvillimin global, si dhe një varfëri të madhe në shumë zona të vendit, duke përfshirë edhe kryeqytetin. Monopolet, keqmenaxhimi, korrupsioni, vjedhja, lidhja e politikës me krimin e organizuar, mungesa e zhvillimit teknologjik, kaosi me pronat po e pengojnë prosperitetin në këtë vend. Duhet të zgjedhim nëse duhet të mjaftohemi vetëm me stinën e verës dhe detin e bukur apo të kemi edhe një zhvillim real.


No comments:

Post a Comment