Thursday, July 24, 2014

PD t’i hapë rrugë rrëzimit të qeverisë!

Le t’i themi gjërat troç: Kjo qeveri nuk do të na sjellë ‘Rilindjen’ e premtuar! Kjo qeveri prodhon vetëm publicitet, por aspak zhvillim! Kjo qeveri është votuar në parlament nga deputetë të inkriminuar! Kjo qeveri nuk ka në plan zhvillimin ekonomik, por orientimin drejt një ekonomie skllavëruese. Kjo qeveri nuk ofron rend për qytetarët, por siguri për kriminelët! 
Për shkak të arsyeve të sipërpërmendura, por jo vetëm, nuk besoj se ka mbetur qytetar racional, që të mos t’i ketë ardhur në majë të hundës kjo qeveri, që të mos t’i ketë ardhur në majë të hundës kjo gjëndje e tejzgjatur tranzicioni, ky absurditet, në të cilin vlerat morale dhe qytetare po humbin çdo ditë e më shumë. Po çfarë e pengon qytetarin të ngrihet ndaj kësaj force shkatërruese? E dimë të gjithë, mungesa e një alternative.
Opozita, ose më saktë Partia Demokratike, për momentin, është një mur i pakapërcyeshëm, që qëndron si mburojë përpara qeverisë së dështuar. Kjo parti lindi në 1990, si një parti e idealeve dhe e shpresave europiane. Në atë kohë, të gjithë të rinjtë, të gjithë qytetarët përparimtarë sytë i kishin drejt saj. Por, besimi ndaj kësaj partie u zbeh çdo ditë e më shumë, ndërkohë që Shqipëria po i humbiste shanset e afrimit me Europën. Partia e krijuar si një parti kundërshtare e regjimit komunist filloi të katapultonte në funksionet drejtuese të saj ish bashkëpunëtorë të sigurimit të shtetit. Partia e krijuar si një parti e intelektualëve, filloi të shtypte çdo prirje që do të gjeneronte zhvillim. Kjo prirje degradimi vazhdoi për dy dekada me rradhë. Është ky degradim, që lejoi shumë produkte të regjimit komunist, që deri dje mbronin me forcën e automatikut regjimin e vjetër, të gezojnë pushtet edhe sot, në kurriz të popullit shqiptar. 
Partia Demokratike, sot, po ofron fakte të inkriminimit të deputetëve të mazhorancës, por nuk po na ofron fakte për thelbin e këtij sistemi kriminal, për të cilin është edhe ajo fajtore. Denoncon, por qëllimi përfundimtar është që ato individë që janë bërë të urryer për elektoratin demokrat, të vazhdojnë të qëndrojnë në atë parti. 
Partia Demokratike nuk ka qëllim rrëzimin e kësaj qeverie të paaftë, por ruajtjen e status quo në këtë vend, ashtu si Partia Socialiste. Janë shumë në sinkron me njëra tjetrën, kur bëhet fjalë për biznes. Janë shumë në sinkron me njëra-tjetrën kur bëhet fjalë për ndërtimin e ligjeve që shkelin demokracinë, me synimin e ruajtjes së këtij sistemi. 
Ndërkohë, ndërgjegjësimi qytetar ka ardhur duke u rritur. Pengesa kryesore mbetet PD, e cila duhet t’i hapë rrugë levizjeve qytetare. Levizjet qytetare me këtë Parti Demokratike nuk mund të bashkëjetojnë. Ato mund të bashkëjetojnë vetëm me një reformim radikal të saj, gjë që nuk ka gjasa të ndodhë. Ajo që duhet të bëjë kjo parti është denoncimi i këtij sistemi, në të cilin bën pjesë vetë, duke i hapur rrugë në këtë mënyrë demokracisë së munguar. Në rast të kundërt, një force e re dhe gjithëpërfshirëse, opozitare duhet të marrë në dorë fatin e këtij vendi.

No comments:

Post a Comment