Wednesday, August 20, 2014

Minierat e vdekjes dhe ekonomia shqiptare

Minierat në Shqipëri vazhdojnë të prodhojnë viktima, ndërkohë që shteti vazhdon në indiferencën e tij, duke u mjaftuar me disa mesazhe ngushëllimi, por asgjë më tepër. Të ardhurat që sigurohen nga ky lloj biznesi janë shumë të mëdha, por kushtet e punës në minierat shqiptare janë skandaloze.
Minatorët përballen çdo ditë me vdekjen, vetëm për të siguruar një copë bukë për familjet e tyre. Ndërkohë, të ardhurat e majme që vijnë nga ky biznes mbushin llogaritë e kompanive si dhe sigurojnë heshtjen e politikanëve, në kurriz të popullit të varfër. Familjarët e minatorëve presin me ankth, që, në fund të ditës së punës, kryefamiljari të kthehet i gjallë nga puna. Kjo është jeta që jetojnë minatorët shqiptarë të shekullit të 21, kjo është tragjedia që përjetojnë çdo ditë familjet shqiptare të Bulqizës, që janë pjesë e një vendi, që aspiron të futet në Bashkimin Europian. Ky është shfrytëzim kriminal, që i bëhet qytetarëve, të cilët kanë rënë në grackën e mungesës së alternativave për të mbijetuar, dhe që detyrohen të futen ditë pas dite brenda në galeritë e vdekjes. 
Ekonomia po merr trajtat e një ekonomie skllavopronare, me minierat e vdekjes nga njëra anë, që kontrollohen nga oligarkët e tranzicionit shqiptar dhe industria e ashtuquajtur 'fason' nga ana tjetër, me ushtrinë e saj të punëtorëve për prodhimin e këpucëve dhe tekstileve. Dhe në fund, 'Call Center' plotëson kuadrin e suksesit imagjinar të ekonomisë shqiptare. Këto janë alternativat gjithmonë e më të mundshme, që një i ri ka për të nisur ndërtimin e jetës. Alternativat e tjera, pavarësisht shifrave imagjinare, zvogëlohen dita-ditës. Realiteti shqiptar është i dhimbshëm. Ai nuk ka aspak lidhje me realitetin që përjetojnë politikanët shqiptarë dhe ushtarët e tyre. Fundja, pas luksit të këtyre politikanëve, qëndron edhe gjaku i minatorëve, djersët e punëtorëve të të ashtuquajturve 'Fason' apo shkelja e ëndrrave të të rinjve që detyrohen të punojnë në 'Call Center'. Çdo mundësi që do të sillte zhvillim real dhe afatgjatë eleminohet. Ndërkohë vazhdon ngritja e fasadave, për të prodhuar një realitet imagjinar. Por, muret e lyer, xhamat vezullues apo godinat shtetërore, që po marrin pamjen e hoteleve turistike, nuk mund të fshehin realitetin e dhimbshëm.


No comments:

Post a Comment