Tuesday, December 16, 2014

Tirana e vertetë dhe emri i betonizimit të saj (unfinished article)

Qeveria, muajt e fundit, po zhvillon një aksion të gjërë, për të liruar hapësirat publike, të zëna nga bizneset e vogla të shërbimeve. Fushata ka efekte pozitive, pasi disiplinon individët, për të mos shkelur rregullat normale, mbi të cilat duhet të funksionojë një qytet.
Megjithatë, kjo fushatë nuk mund të zhbëjë kurrsesi dëmin e madh që i është bërë këtij qyteti nga pallatet e ndërtuara vend e pavend. Mjafton të ndjekësh fushatën e fundit të prishjeve të ndërtimeve të paligjshme dhe mund të shohësh se përgjatë hapësirës së liruar gjithmonë haset një pallat që ka zënë treçerekun e trotuarit.
Fushata që vijon, nuk mund të zgjidhë problemin e pallateve që pengojnë makinat e ambulancës të shkojnë në një emergjencë, që pengojnë zjarrfikësit të shuajnë një zjarr të rënë diku, që pengojnë femijët të luajnë në një shesh normal, që ngrihen në oborret e shkollave dhe universiteteve etj. Kjo fushatë nuk zgjidh problemin kryesor të Tiranës.
Dëmi i madh që ju bë qytetit të Tiranës me betonizimin, u justifikua me prishjen e kioskave. Personalisht, ky krahasim më ngjan me krahasimin që bënte regjimi komunist me periudhën e Ahmet Zogut. Tirana e vitit 1992 ishte një qytet i mbërthyer nga kriza e papunësisë. Qeveria e asaj kohe, mbylli, pa kushte dhe pa asnjë alternativë, të gjitha fabrikat dhe uzinat, që gjendeshin brenda qytetit si dhe në rrethinat e tij, duke prodhuar në këtë mënyrë një ushtri të papunësh. Gjithashtu, Tirana në vitin 1992 numëronte 250 mijë banorë, ndërsa Tirana në vitet 1996-1997 kishte 600 mijë banorë. Ky problem nuk mund të zgjidhej duke lyer ndonjë pallat me bojë dhe as duke marrë poza përballë kamerave. Njësitë e shërbimit ose kioskat, sic quhen rëndom, ofruan një mundësi për njerëzit e papunë dhe të uritur, duke ndaluar në këtë mënyrë eksodin masiv të shqiptarëve. Në vitet e para të tranzicionit (tranzicion që vazhdon ende sot) ato krijuan një alternativë të përkohshme për njerëzit e thjeshtë dhe në fund, u hoqën lehtësisht dhe pa bërë asnjë dëm në panoramën e qytetit.
Për hir të së vërtetës, dy hotelet që kanë famë ndërkombëtare dhe janë të vetmit te ketij lloji në Shqipëri, edhe sot pas 2 dekadash, janë Rogner dhe Sheraton. Të dy keto hotele janë ndertuar në gjysmën e parë të viteve ‘90, madje pa prishur pamjen e bulevardit. Tirana, sot, në sytë e të huajve, ka një pamje tjetër, sepse ka nje Sheraton dhe një Rogner. Ndërkohë që nuk mund të themi të njëjtën gjë për marrëzinë e pallateve klienteliste, që mbinë kudo në Tiranë.
Sot, jo vetëm Tirana, por e gjithë Shqipëria, po vuan nga mungesa e një modeli të qartë zhvillimi dhe kjo është arsyeja kryesore e krizës ekonomike në vendin tonë. Zhvillimi i një vendi vjen si pasojë e reformave dhe ndryshimeve të mëdha, që lënë gjurmë dhe kanë efekt pozitiv mbi ekonominë e një vendi. Rast i tillë është ndërtimi i gjithë rrjetit elektrik ne Tiranën e viteve ’90, duke filluar nga nënstacionet, e deri tek kabinat elektrike në çdo lagje. Ky rrjet vazhdon të përdoret edhe sot dhe mban akoma gjallë ekonominë e Tiranës. Një rast tjetër është rinovimi tërësor në Tiranën post-komuniste, të gjithë rrjetit të shpërndarjes së ujit. Ky rrjet vazhdon të përdoret edhe sot, pa asnjë ndryshim. Gjithashtu, edhe ndërtimi i arterieve kryesore të Tiranës në vitet 2000, kanë efekt të rëndësishëm në ekonominë e qytetit. Rast i tillë është edhe ndërtimi i unazës, projektimi i së cilës ka nisur në vitet ’90, ndërtimi ka filluar në vitet 2000 dhe po vazhdon edhe sot.
Tirana, sot, nuk ka nevojë për leksione kundër betonit që vijnë nga kamikazët e betonizuesve kryesorë të saj. Tirana, sot, ka nevojë për alternativa dhe kjo gjë po i mohohet.

Monday, November 24, 2014

Kërkohet ndryshim!

Sa protesta duhet të bëhen, që kjo qeveri të heqë dorë nga rruga e gabuar e të ashtuquajturave reforma?
Gjatë muajit nëntor janë zhvilluar shumë protesta, megjithëse nuk kanë pasur vëmendjen, që duhet të kishin, nga media. Studentët kanë qënë të parët, që kanë kundërshtuar me forcë vendimet abuzive të marra nga klasa në pushtet, ndaj universiteteve publike. Tjetërsimi i godinave universitare, rritja e tarifave studentore, një ligj për arsimin e lartë klientelist, një fond i mjerueshëm, që parashikohet për arsimin, janë disa nga goditjet, që kjo klasë në fuqi, po i jep universiteteve publike.

Wednesday, August 20, 2014

Minierat e vdekjes dhe ekonomia shqiptare

Minierat në Shqipëri vazhdojnë të prodhojnë viktima, ndërkohë që shteti vazhdon në indiferencën e tij, duke u mjaftuar me disa mesazhe ngushëllimi, por asgjë më tepër. Të ardhurat që sigurohen nga ky lloj biznesi janë shumë të mëdha, por kushtet e punës në minierat shqiptare janë skandaloze.

Tuesday, August 12, 2014

Nuk mjaftojnë vetëm vera, deti dhe lokalet

Dikush mund të thotë se shqiptarët janë popull dembel. Kjo nuk është aspak e vertetë. Jemi ndoshta i vetmi popull mesdhetar, i cili bën punë të rënda në të ashtuquajturat "sweatshop", po njësoj si në lindjen e largët.

Thursday, July 24, 2014

PD t’i hapë rrugë rrëzimit të qeverisë!

Le t’i themi gjërat troç: Kjo qeveri nuk do të na sjellë ‘Rilindjen’ e premtuar! Kjo qeveri prodhon vetëm publicitet, por aspak zhvillim! Kjo qeveri është votuar në parlament nga deputetë të inkriminuar! Kjo qeveri nuk ka në plan zhvillimin ekonomik, por orientimin drejt një ekonomie skllavëruese. Kjo qeveri nuk ofron rend për qytetarët, por siguri për kriminelët! 

Thursday, July 10, 2014

Software si një mundësi për zhvillimin e Shqipërisë?

Një nga arsyet e ngërçit ekonomik që po përjeton vendi ynë është mungesa e një modeli të qartë të zhvillimit ekonomik. Ekonomia shqiptare, gjatë periudhës së tranzicionit, ka qënë thellësisht një ekonomi konsumi, që furnizohej nga remitancat e emigrantëve si dhe nga rritja me bazë kreditimin. Sot, ky model nuk gjeneron më zhvillim. Qeveritë që kanë ndjekur njëra-tjetrën gjatë këtyre 23 viteve, e kanë parë këtë model si një mundësi për të përfituar prej tij dhe nuk kanë bërë asgjë për të ndërtuar një model, që do të na siguronte një rritje afatgjatë.

Monday, June 30, 2014

Luftimi i së keqes

Shqipëria po përjeton një krizë të thellë, një krizë të thellë në ekonomi, një krizë të thellë besimi, një krizë të thellë të themeleve mbi të cilat ngrihen institucionet shtetërore. Gjëja më e rëndë, sipas meje, është fuqia që po merr krimi i organizuar.
Shqipëria ka qënë dhe është një vend i pazhvilluar. Krimi i organizuar ushqehet nga mungesa e zhvillimit të një vendi dhe ndërkohë është një nga arsyet kryesore të frenimit të zhvillimit të tij. Krimi i organizuar përdor korrupsionin. Korrupsioni prodhon varfëri. Individët detyrohen të paguajnë një kosto më të lartë për shërbimet publike, të cilat, në të shumtën e rasteve janë inekzistente.